Përmes këtij instrumenti, bankave partnere u ofrohet një burim i strukturuar dhe i stimuluar financimi, i cili dedikohet për kreditimin e aktiviteteve që kontribuojnë në qëndrueshmërinë mjedisore. Në këtë mënyrë krijohet një lidhje e qartë dhe transparente ndërmjet likuiditetit të siguruar dhe ndikimit të pritshëm mjedisor.
Çka është Depozita e Gjelbër?
Depozita e Gjelbër është një instrument financiar përmes të cilit FKGK plason kapitalin e saj në bankat partnere, me kusht që një pjesë e tyre të përdoret për financimin e investimeve të gjelbra të NMVM-ve. Ky bashkëpunim synon të rrisë kreditimin për efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme.
Depozita e Gjelbër lidh një burim financimi me një qëllim të qartë:
nga depozita te financimi → nga financimi te investimi → nga investimi te ndikimi pozitiv në mjedis.
Depozita e Gjelbër synon t’i nxisë bankat partnere që të rrisin financimin e investimeve të gjelbra të NMVM-ve. Ajo siguron burime të dedikuara për investime në efiçiencë të energjisë dhe Burime të ripërtëritshme të energjisë, duke mbështetur njëkohësisht zhvillimin e Dritares GROW dhe tranzicionin drejt një ekonomie më të qëndrueshme.
Gjithnjë e më shumë biznese në Kosovë po shqyrtojnë investime që ulin konsumin e energjisë ose ndikimin në mjedis. Edhe bankat po tregojnë interes për financimin e gjelbër. Megjithatë, nevojiten mekanizma praktikë që i orientojnë burimet financiare drejt këtyre investimeve dhe përcaktojnë qartë se cilat prej tyre mund të mbështeten.
Kriteret e qarta ndihmojnë gjithashtu në shmangien e pretendimeve mjedisore të pambështetura, të njohura si greenwashing.
· Siguron burim shtesë likuiditeti të dedikuar për financimin e investimeve të gjelbra;
· Rrit mundësinë për zgjerimin e portofolit të gjelbër përmes produkteve dhe proceseve ekzistuese;
· Mbështet diversifikimin e portofolit kreditor dhe përmbushjen e objektivave mjedisore, sociale dhe të qeverisjes;
· Rrit qasjen në financa për investime në efiçiencë të energjisë dhe burime të ripërtëritshme të energjisë;
· Mbështet investimet që ulin kostot e energjisë dhe kostot operative në periudhë afatgjatë;
· Mundëson modernizimin e pajisjeve dhe proceseve të punës;
· Ndihmon në rritjen e qëndrueshmërisë së bizneseve ndaj ndryshimeve të çmimeve të energjisë dhe kërkesave të tregut.
· Nxit investimet që kontribuojnë në uljen e konsumit të energjisë dhe të ndikimit në mjedis.
· Mbështet përdorimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë dhe teknologjive më efikase.
· Kontribuon në zhvillimin e tregut të financimit të gjelbër në Kosovë.
Depozita e Gjelbër e zgjeron mënyrën se si FKGK mbështet qasjen në financa. Krahas skemave të garancisë kreditore, FKGK përdor kapitalin e saj në formë të depozitave për të nxitur investime të përgjegjshme ndaj mjedisit.
Përmes bashkëpunimit me bankat partnere dhe zbatimit të kritereve të qarta, FKGK-ja synon të kontribuojë në zhvillimin e një tregu më funksional, transparent dhe të besueshëm të financimit të gjelbër në Kosovë.
Kjo iniciativë mbështetet nga projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK) në promovimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit për investimet e gjelbra.