Çka është Fondi Kosovar për Garanci Kreditore?
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm i cili përmes garancisë kreditore ndan rrezikun me Institucionet Financiare për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të).
Cili është qëllimi i FKGK-së?
Qëllimi i FKGK-së është të përkrahë sektorin privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për NMVM-të, duke mundësuar kështu edhe krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe avancimin e mundësive për sektorët ekonomikë më pak të shërbyer.
Kush janë themelues të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore?
Qeveria e Kosovës përmes Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, Agjencia Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe Banka Zhvillimore Gjermane KfW janë themelues të FKGK-së. Këto institucione po ashtu janë donatorë të kapitalit fillestar të FKGK-së.
Kush janë bashkëpunëtorët tjerë të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore?
• Agjencia Suedeze për zhvillim dhe bashkëpunim ndërkombëtar –SIDA (në cilësi të ri-garantuesit);
• Fondi Investues Evropian- EIF (në cilësi të ri-garantuesit), dhe
• Millennium Foundation Kosovo-MFK (asistencë teknike për zhvillimin e produkteve për energji të ripërtërishme dhe project finance)
Cilat janë Institucionet Partnere Financiare të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore?
Institucionet Partnere Financiare të FKGK-së janë: Banka Ekonomike Sh.A., Banka Kombëtare Tregtare, Banka për Biznes Sh.A., NLB Banka Sh.A., ProCredit Bank Kosovo J.S.C., Raiffeisen Bank Kosovo J.S.C.,TEB Sh.A., dhe Raiffeisen Leasing Kosovë. Për më shumë: https://www.fondikgk.org/sq/partneret-tane
Cilat Institucione Financiare kualifikojnë për t’u regjistruar në FKGK, a ka kritere të veçanta për hyrje në partneritet?
FKGK mund të regjistrojë Institucione Financiare kredidhënëse (Bankat, Institucionet Mikro Financiare, Institucionet Bankare jo Financiare) të cilat janë të licencuara nga Banka Qendrore e Kosovës dhe të cilat i përmbushin kriteret e përcaktuara nga FKGK: https://fondikgk.org/institucionet-financiare-partnere/ .
Çka është garancia kreditore e FKGK-së?
Garancia kreditore e FKGK-së është garanci për institucionet partnere financiare për të ndarë rrezikun me institucionet partnere financiare për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla, dhe të mesme (NMVM-të).
Çfarë mbulon garancia e FKGK-së?
Garancia e FKGK-së mbulon vetëm kryegjënë. Ajo nuk mbulon kamatat apo shumat tjera të borxhit, apo shpenzimet e tjera që barten nga huadhënësi.
A e mbulon garancia e FKGK-së gjithë kredinë e kualifikuar?
Garancitë e FKGK-së ofrohen për shumën deri në 50% të kryegjësë së kredive për NMVM-të dhe jo më shumë se 250,000 euro garanci.
A lëshon FKGK kredi dhe grant?
FKGK nuk lëshon kredi dhe as grante. FKGK është një institucion garantues.
11. Kush përfiton nga garancia kreditore e FKGK-së? NMVM-të të cilat kualifikohen për garanci kreditore janë ndërmarrjet të cilat plotësojnë kushtet e kredimarrjes në Institucionin Financiar përkatës por të cilat ballafaqohen me vështirësi në qasje në financim për shkak që kanë mungesë të kolaterali, që nuk kanë histori kreditore apo konsiderohen me rrezik të lartë nga institucionet financiare.
A munden të gjitha NMVM-të të marrin garanci kreditore?
NMVM-të që kualifikohen garanci kreditore mund të janë ato që plotësojnë kushtet më poshtë:
• NMVM-të në pronësi private pa asnjë pronësi të Qeverisë gjatë periudhës së mbulimit të kredisë nga garancisë;
• NMVM-të që janë të regjistruara në ARBK dhe kanë Numër Unik Identifikues;
• Pronari i NMVM-së duhet të jetë së paku 50% banor i përhershëm i Kosovës;
• NMVM-të që kanë më pak se 250 punonjës;
• NMVM-të që nuk janë të ndaluara nga legjislacioni i aplikueshëm, dispozitat rregullatore ose traktatet ndërkombëtare në të cilat Kosova është palë;
Çka është një NMVM?
NMVM-të janë ndërmarrje të cilat punësojnë më pak se 250 punëtorë.
A ka FKGK kufizim në sektorë, a i garanton të gjithë sektorët?
FKGK garanton kredi të të gjithë sektorëve ekonomik të cilët nuk janë të ndaluar me ligj (për sektorët e ndaluar shih: https://www.fondikgk.org/sq/sektoret-dhe-qellimet-e-kredise-qe-ndalohen).
Sa mund të jetë ekspozimi maksimal i kredisë dhe garancisë?
Ekspozimi maksimal i garancisë që FKGK mund t’i ofrojë huamarrësit ose grupit të ndërlidhur të huamarrësit do të jetë 250K EUR, ndërsa madhësia maksimale e ekspozimit kreditor do të jetë 1 milion EUR.
Sa mund të jetë afati maksimal i kthimit (maturitetit) të kredisë së garantuar?
Afati maksimal i kthimit të kredisë së garantuar do të jetë 120 muaj.
Cilat lloje të financimit mund të garantohen?
Llojet e financimit që mund të garantohen janë: kreditë, linjat kreditore, mbitërheqjet dhe lizingu financiar.
Për çfarë destinimi mund të garantohen kreditë?
Kreditë për investime afatgjata dhe afatshkurtëra për nevoja të biznesit të cilat nuk janë pjesë e listës përjashtuese
A mundet të garantohet një kredi për qëllime private?
Jo, kreditë për qëllime private nuk kualifikohen për garanci kreditore, vetëm kreditë për qëllime të biznesit mund të kualifikohen.
A mund të përfitojnë tregtarët dhe zejtarët, personat e vetëpunësuar dhe fermerët nga garancia e FKGK-së?
Po, tregtarët dhe zejtarët, personat e vetëpunësuar dhe fermerët mund të përfitojnë nga garancia e FKGK-së përderisa janë të regjistruar në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK).
A mundet që një pronar biznesi që zotëron firma të shumta të përfitojë nga garancitë e FKGK-së për secilën nga firmat e tij / saj individualisht?
Po, pronari i biznesit që zotëron firma të shumta mund të përfitojë nga garancitë e FKGK-së me kusht që të mos kalohet ekspozimi maksimal i kredive të palëve të ndërlidhura prej EUR një milion si dhe shuma maksimale e garancisë prej EUR 250,000.
A mundet kredia e njëjtë për NMVM-në të përfitojë nga FKGK dhe nga ndonjë instrument tjetër garantues?
Jo nuk mundet. Një kredi mund të mbulohet vetëm nga një skemë garantuese.
A mundet të vendoset nën garanci kreditore kredia e kompanisë e cila ka edhe te tjera kredi nën garanci?
Po mundet për derisa të mos kalohet ekspozimi maksimal i kredive të palëve të ndërlidhura prej EUR një milion si dhe shuma maksimale e garancisë prej EUR 250,000.
A munden të garantohen kreditë e kompanive të posa hapura (start-up)?
FKGK lejon garantimin e kredive të kompanive të reja (start-up).Një nga qëllimet kryesore të FKGK-së është përmirësimi qasjes në financa të ndërmarrjeve dhe segmenteve më pak të shërbyera. Për këtë qëllim FKGK lejon garantimin e kredive të kompanive të posa hapura.
Si mund të aplikojë një NMVM për garanci kreditore të FKGK-së, kend duhet t’a kontaktojë ?
Huamarrësi potencial (NMVM) nuk aplikon për garanci por aplikon për kredi në njërin nga Institucionet Partnere Financiare ( shih përgjigjen në pikën 5) të FKGK-së. Institucioni Partner Financiar pasi që të kryen analizat e zakonshme të kredisë duke zbatuar standardet e miratimit dhe nëse kompania i plotëson kriteret e FKGK-së atëherë vet Institucioni Financiar përkatës do e vendos kredinë nën garancinë kreditore të FKGK-së.
A kërkon FKGK që kredia e garantuar të ketë kolateral?
FKGK ofron garanci për NMVM-të të cilat janë të qëndrueshme dhe me një plan investiv të shëndoshë por, që kanë mungesë kolaterali. Në linjë me misionin e saj, FKGK nuk ka vënë ndonjë kusht për minimumin e kolateralit.