Prishtinë, 08 prill 2020 – Nënshkruhet marrëveshja financiare për Rritje të Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore.
Ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi dhe drejtori i Zyrës së KfW-së për Kosovë, Rene Eschemann, kanë nënshkruar marrëveshjen financiarepër Rritje të Kapitalit Garantues për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në vlerë prej 6,5 milion EURO.
Kjo mbështetje që është duke u bërë nga Qeveria Gjermane për agrobizneset është një lajm i mirë, në këtë situatë ku sektori i biznesit po përballet me krizën si rrjedhojë e pandemisë COVID-19.
Rritja e Kapitalit Garantues do të jetë e destinuar për Dritaren Agro të lansuar dy vite më parë. Dritarja Agro është linjë garantuese që operon në kuadër të FKGK-së dhe që ka për qëllim mbështetjen e agrobizneseve përmes garantimit të kredive për këtë sektor.
Kjo linjë garantuese e cila është financuar në tërësi nga Qeveria Gjermane, me ndërmjetesim të Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW, tashmë e mbështetur me kapital prej 11.5 milion euro, do të vazhdojë fokusin në mbështetjen e kreditimit në sektorin e agrobiznesit, si njëri ndër sektorët më të rëndësishëm për krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi, për zëvendësimin e importeve dhe për rritjen e aftësive eksportuese të agrobizneseve vendore.
Kjo ngjarje shënon një moment të rradhës për Fondin Kosovar per Garanci Kreditore, në rrugën e realizimit të objektivave institucionale, para se gjithash; lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë, rritjen e punësimit dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit tone.
Shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë në 180 milion euro të shpërndara në mbi 4,600 kredi, ndërsa investimet e bëra me këto kredi premtojnë mbi 6,500 vende të reja pune.