Prishtinë, 23 shkurt 2021 – Sot, Kryesuesi i Bordit të Drejtorëve të FKGK-së z. Gjonbalaj dhe Drejtori Menaxhues i FKGK–së z. Berisha pritën në vizitë Guvernatorin e BQK-së z. Mehmeti, zv. Guvernatorin z. Havolli, si dhe Shefin e Kabinetit të Guvernatorit z. Miftari.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e FKGK–së informuan Guvernatorin Mehmeti dhe përfaqësuesit e BQK-së lidhur me zhvillimet e Institucionit në përgjithësi, masat e ndërmarra lidhur me implementimin e Dritareve në kuadër të Pakos së Rimëkëmbjes, si dhe planet për zhvillilmet e ardhshme lidhur me lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë, rritjen e punësimit dhe mbështetjen e zhvillimit ekonomik të vendit tonë.
Gjithashtu, Guvernatori informoi përfaqësuesit e FKGK lidhur me masat që BQK ka ndërmarrë gjatë periudhës së pandemisë si dhe planet e BQK-së për përkrahje të mëtejme të lehtësimit të qasjes në financa për bizneset në mënyrë që të përballojnë më lehtë barrën financiare gjatë procesit të rimëkëmbjes dhe zhvillimit të tyre.
Përfaqësuesit e FKGK-së falenderojnë Guvernatorin Mehmeti dhe zv. Guvernatorin Havolli për vizitën si dhe bashkëpunimin e përkrahjen e vazhdueshme të BQK-së lidhur me realizimin e objektivave institucionale.