Përpunimi i metaleve është industri e vështirë, këtë e përjetuam në një punishte me mbi 25 punëtorë, me shumë makina për përpunimin e hekurit dhe shndërrimin në tela metalike, të gatshme për nevoja të tregut. Një biznes që fillet i ka që nga viti 2011 ka arritur që produktet e veta ti plasojë jo vetëm në tregun vendor por edhe më gjerë, pra në vende të rajonit dhe Evropë. Pronari i këtij biznesi, z. Nexhmi Lahu, njohës i mirë i industrisë, me përvojë të gjatë në Fabrikën e Armaturës Ndërtimore (FAN) që u privatizua në vitin 2006, na shpjegoi fillesën e kësaj punëtorie si dhe sfidat e shumta me të cilat përballet kjo industri.
Duke e vizituar vendpunishten nga pika e parë e pranimit të materialit për përpunim, tutje nëpër pikat e gjithë procesit hap pas hapi, krijuam përshtypjen se sa i rëndësishëm dhe njëherit edhe i vështirë është gjithë ky proces i punës. Kërkohet koncentrim gjatë gjithë kohës, sepse puna me metal është e vështirë dhe e rrezikshme njëkohësisht. Zhurma e madhe e makinave të punës, hapësira e gjerë, të jepnin ndjesinë e prodhimtarisë dhe fabrikës së vërtetë. “Për mua, zhurma e makinave është muzika e mëngjesit, nëse nuk ndëgjohet kjo muzikë në mëngjes do të thotë kemi ndonjë problem dhe prodhimi nuk ka filluar” – tha z. Lahu derisa e vizituam në fabrikë, në zyren e tij.
Si proces, për të arritur deri në produktin final, janë disa hapa që secila makinë duhet ta përcjellë dhe proceson dhe të cilat shpenzojnë shumë energji elektrike. “Ky shpenzim sigurisht që rrit koston e prodhimit dhe janë pikërisht panelet solare zgjidhje e duhur për këtë lloj prodhimtarie. Prandaj jemi interesuar që ta konsiderojmë si investim që do të ketë ndikim afatgjatë.” – na tha z. Lahu.
METAL IN ka shfrytëzuar kredinë për investim në panelet solare, meqë kjo industri është shpenzuese e madhe e energjisë elektrike. Prandaj, panelet solare konsiderohen investim i mençur, i cili në një periudhë gjashtë deri në shtatë vjeçare, do ti kthejë investimet. Me këtë investim, Metal In do ti redukojë shpenzimet e faturës së energjisë elektrike deri në 50% dhe do të shmang lirimin e rreth 300 ton dioksid karboni (CO2 ) në vit. Gjë që do të kontribojë pozitivisht në ruajtjen e mjedisit. Z. Lahu gjithashtu, është duke konsideruar mundësinë e shtimit të kapacitetit të panelave solare në mënyrë që të zvogëlohen edhe më shumë shpenzimet e energjisë elektrike.
“Natyrisht, ky investim parashihet të bëhet në të ardhmen pasi të ndërtohet objekti shtesë. Por, jemi në pritje të ndryshimit të rregullativës ligjore që na mundëson shitjen e energjisë elektrike në treg, që deri tani mungon”.