Bashkimi Evropian mbështet mundësi të reja financimi për bizneset
Prishtinë, 7 korrik 2026 – Ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM) në Kosovë do të kenë qasje më të lehtë në financim falë zgjerimit të Programit të Garancisë BE–KfW për Ballkanin Perëndimor, I financuar nga Bashkimi Evropian. Programi ka filluar të zbatohet tashmë përmes tetë institucioneve financiare, pas nënshkrimit të marrëveshjeve të reja të bashkëpunimit ndërmjet tyre dhe Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).
Si partneri më i madh zhvillimor i Kosovës dhe donatori kryesor i asistencës financiare, Bashkimi Evropian vazhdon të mbështesë zhvillimin e sektorit privat duke përmirësuar qasjen në financa, duke nxitur inovacionin dhe konkurrueshmërinë, si dhe duke krijuar kushte për rritje të qëndrueshme ekonomike dhe gjenerim të vendeve të reja të punës.
Marrëveshjet e reja të bashkëpunimit janë nënshkruar me Bankën Ekonomike, BKT, KEP Trust, KRK, NLB Bank, ProCredit Bank, PriBank dhe Raiffeisen Bank, që mundeson bizneset të kenë mundësi të përfitojnë kredi me kushte më të favorshme për të financuar investimet, zgjeruar aktivitetin e tyre dhe krijuar vende të reja pune. Programi vë theks të veçantë në mbështetjen e bizneseve rurale, grave sipërmarrëse, startup-eve dhe grupeve të tjera të nënpërfaqësuara, duke kontribuar njëkohësisht në uljen e rrezikut të kreditimit për bankat dhe institucionet mikrofinanciare.
Ky program i financuar nga Bashkimi Evropian dhe implementuar nga KfW, mundëson që FKGK të ofrojë garanci për kreditë e lëshuara nga institucionet financiare pjesëmarrëse, duke ndarë rrezikun e kreditimit dhe duke u mundësuar atyre të financojnë një numër më të madh biznesesh, përfshirë ato që kanë kolateral të kufizuar ose veprojnë në sektorë me nivel më të lartë të rrezikut.
“Bashkimi Evropian është krenar që mbështet zgjerimin e këtij programi të garancive kreditore për bizneset në Kosovë. Duke përmirësuar qasjen në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme, veçanërisht për bizneset e udhëhequra nga gratë, startup-et dhe ndërmarrësit që kanë qasje më të kufizuar në financim, ne po ndihmojmë bizneset të investojnë, të zhvillohen dhe të krijojnë vende të reja pune, duke forcuar njëkohësisht sektorin privat të Kosovës,” deklaroi Hubert Perr, Udhëheqës i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Zgjerimi i programit në tetë institucione financiare shënon një hap të rëndësishëm në përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë. Së bashku me Bashkimin Evropian dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, po mbështesim institucionet financiare që të rrisin kreditimin për bizneset me potencial, duke nxitur sipërmarrjen, inovacionin dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm.”theksoi Moritz Reme, Drejtor i zyres KfW në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut.
“Zgjerimi i bashkëpunimit me partnerët tanë financiarë krijon mundësi të reja për financimin e ekonomisë reale. Përmes ndarjes së rrezikut me institucionet financiare, ne po mundësojmë rritjen e kreditimit në sektorë dhe segmente me potencial të lartë zhvillimi. Garancitë kreditore mbeten një instrument strategjik për zgjerimin e qasjes në financa, forcimin e besimit në treg dhe mbështetjen e zhvillimit të qëndrueshëm të sektorit privat.” theksoi Besnik Berisha, Drejtor menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore.
Në periudhën në vijim pritet nënshkrimi i marrëveshjeve edhe me institucione tjera, tashmë partnere të FKGK-së, çka do të zgjerojë më tej mbulueshmërinë e programit dhe mundësitë e financimit për bizneset në të gjithë Kosovën



