Skemat garantuese apo si ne i quajmë Dritare Garantuese janë garanci për institucionet financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e lëshuara ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM). Këto garanci lëshohen vetëm për kryegjënë dhe nuk mbulojnë kamatat, shumat tjera të borxhit, apo shpenzime të tjera që barten nga huadhënësi.
Deri më tani FKGK ka lansuar dritaret garantuese në vijim:
DRITARJA STANDARDE
Dritarja Standarde është dritare gjithë përfshirëse e FKGK-së. Veçoritë që e karakterizojnë dritaren standarde përveq gjithëpërfshirjes që nënkupton se kjo dritare i shërben të gjitha aktivitetet e lejuara, dritarja standarde është skemë që garanton shuma më të mëdha të kredisë, me afat të gjatë të kthimit deri 120 muaj. U dedikohet investimeve afatgjata si dhe për shuma të larta, ofron tarifë të ulët të kredisë. Gjithashtu, ofron garanci deri në 50%.
DRITARJA PËR INVESTIME TË DIASPORËS
Dritarja për investime të diasporës ka për qëllim që të mbështes investimet në ndërmarrësi private të themeluara nga bashkatdhetarët tanë që jetojnë dhe punojnë në vende të tjera. Bashkatdhetarët do të duhej të shprehin qëllim të qartë për të investuar në Kosovë: a)Duke inicuar themelimin e një biznesi të ri, ose b)Duke përkrahur një biznes egzistues në Kosovë themeluar nga investitori i diaspores. Dritarja për Investime të Diasporës Ofron garanci deri në 60% të kryegjësë së kredisë. Bizneset që kanë përvojë më të gjatë se 36 muaj nuk kualifikohen për këtë dritare.
DRITARJA AGRO
Dritarja Agro ofron garanci për institucionet e regjistruara financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë në sektorin Agro për NMVM-të. E veçantë e kësaj dritare është se ofron garanci për biznese të regjistruara në ARBK apo edhe për fermerë që posedojnë Certifikatë të Fermerit dhe NIF (Numër Identifikues të Fermës). Ofron garanci deri në 60% të kryegjësë së kredisë bujqësore, për garancitë deri në 50,000 euro, përderisa për garancitë mbi 50,000 euro ofrohet garanci deri në 50% të kryegjësë. Afati maksimal i kthimit të agro kredisë së garantuar do të jetë 120 muaj.
DRITARJA GROW
GROW – Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbëra ka për qëllim të mbështes qasjen në financa duke mbështetur IRF-të për financimet që ato do t’i bëjnë në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçencës së energjisë. Garancitë ofrohen për shumën deri në 50% të kryegjësë së kredisë por jo më shumë se 500,000 euro. Maturiteti i kredisë së garantuar deri 84 muaj dhe qëllimi i kredisë janë Investimet në Efiçiencën e Energjisë (Mbeshtjellesi i Ndërtesës; Pajisjet; Linjat e prodhimit dhe masat e tjera të Efiçiencës së Energjisë). Energjia e ripërtërishme në shkallë të vogël (erë, diellore, biomasë ose energji gjeotermale) deri në 400 kw.
DRITARJA E EKSPORTIT
Dritarja e eksportit mbështetë bizneset duke qenë se eksporti është një nga faktorët kryesorë që ndikon në zhvillimin ekonomik të vendit, FKGK ka për qëllim që përmes kësaj dritareje të stimulojë këtë segment pavarësisht nivelit të eksporteve që një ndërmarrje mund të ketë, përmes ofrimit të garancive kreditore me tarifa preferenciale. Garancitë ofrohen për shumën deri në 50% të kryegjësë së kredisë.
DRITARJA GRATË NË BIZNES
Dritarja për Gratë në Biznes ka për qëllim lehtësimin e qasjes në financa për gratë ndërmarrëse si dhe avancimin e njohurive financiare, një mbështetje e cila pritet të ndikojë në sigurinë financiare, dhe fuqizimin financiar dhe të pavarur të grave. Kjo dritare ofrohet me kushte të favorshme për sa i përket riskut të kredisë. Garancitë do të ofrohen për shumën deri në 70% të kryegjësë së kredisë.
Përveç komponentit financiar, FKGK është duke ofruar edhe komponentin jofinanciar ose programin e asistencës teknike për gratë në biznes të cilat po mbështeten në aspektin e ngritjes së kapaciteteve (edukimi financiar dhe formalizimi); rrjetëzimit, si dhe mentorimit
DRITARJA START UP
Dritarja Start-Up ka për qëllim lehtësimin e qasjes në financa për ndërmarrjet e reja me produkte financiare adekuate, në mënyrë që të sigurohet rritja e bizneseve të sapo krijuara si dhe rritja e punësimit. Garancitë do të ofrohen për shumën deri në 80% të kryegjësë së kredisë.
Kjo dritare u dedikohet bizneseve start-up të angazhuara kryesisht në aktivitete/sektorë ekonomik që kërkojnë njohuri bazë. Njohuritë bazë i referohen aftësive që krijohen përmes një arsimimi, trajnimi ose përvojë pune të mëparshme. Përveç komponentit financiar FKGK është duke ofruar edhe komponentin jo-financiar ose programin e asistencës teknike për bizneset e reja, të cilat do të mbështeten në aspektin e ngritjes së kapaciteteve (edukimi financiar dhe formalizimi); rrjetëzimit si dhe mentorimit.