Fondi Kosovar për Garanci Kreditore dhe BPB nënshkruajnë marrëveshjen për instrumentin e ri “Depozita e Gjelbër”
Prishtinë, 10 qershor 2026 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe BPB nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e instrumentit të ri financiar “Depozita e Gjelbër”, një iniciativë inovative që synon të mbështesë financimin e investimeve të qëndrueshme dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër në Kosovë.
Përmes këtij instrumenti, FKGK vendos depozita të dedikuara në Bankën për Biznes, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për financimin e projekteve dhe investimeve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, efikasitetin e energjisë, energjinë e ripërtëritshme dhe aktivitete të tjera të përcaktuara si investime të gjelbra. Kemi kënaqësinë të theksojmë se kjo iniciativë mbështetet gjithashtu nga Projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i implementuar nga Helvetas. Në përputhje me misionin e projektit për të mbështetur ndërmarrjet kosovare në adoptimin e praktikave të qëndrueshme dhe konkurruese të biznesit, instrumenti “Depozita e Gjelbër” promovon investimet e gjelbra, rrit efikasitetin e burimeve, forcon konkurrueshmërinë e bizneseve dhe kontribuon në avancimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe më të gjelbër.
Nënshkrimi i marrëveshjes me BpB shënon një hap tutje drejt krijimit të një lidhje të drejtpërdrejtë ndërmjet burimeve financiare dhe ndikimit pozitiv mjedisor. Instrumenti synon të rrisë qasjen në financim për investimet e gjelbra, të forcojë ekosistemin e financave të gjelbra në Kosovë dhe të inkurajojë institucionet financiare që të integrojnë më tej parimet mjedisore, sociale dhe të qeverisjes (ESG) në aktivitetet e tyre.
Me këtë iniciativë, FKGK zgjeron gamën e instrumenteve që ofron për sektorin financiar dhe bizneset, duke plotësuar skemat ekzistuese garantuese me një mekanizëm të ri që promovon investime me ndikim pozitiv ekonomik dhe mjedisor.
Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, përfaqësuesit e FKGK-së dhe BpB-së theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në krijimin e mundësive të reja financiare për bizneset dhe në mbështetjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.
“Depozita e Gjelbër” është konceptuar për të ofruar një mekanizëm transparent dhe të besueshëm për financimin e investimeve të gjelbra, duke siguruar që fondet e dedikuara të përdoren vetëm për aktivitete që përmbushin kriteret e përcaktuara të qëndrueshmërisë dhe duke kontribuar në shmangien e praktikave të greenwashing-ut.
Përmes këtij instrumenti, FKGK dhe BpB synojnë të krijojnë një model të suksesshëm që mund të shërbejë si shembull për zgjerimin e mëtejshëm të financave të gjelbra në Kosovë dhe të kontribuojë në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme dhe më rezistente ndaj sfidave mjedisore.
Deklarata e Drejtorit Menaxhues të FKGK-së
“Lansimi i instrumentit ‘Depozita e Gjelbër’ përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të avancuar financat e gjelbra në Kosovë. Përmes kësaj marrëveshjeje me BpB, po krijojmë një mekanizëm konkret që lidh drejtpërdrejt burimet financiare me investimet që gjenerojnë përfitime mjedisore dhe ekonomike afatgjata. Kjo iniciativë mbështetet gjithashtu nga Projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i implementuar nga Helvetas, i cili promovon investimet e gjelbra dhe adoptimin e praktikave të qëndrueshme nga bizneset kosovare.
Në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore besojmë se tranzicioni drejt një ekonomie më të qëndrueshme kërkon jo vetëm vullnet, por edhe instrumente financiare inovative që i mundësojnë sektorit privat të investojë në teknologji dhe praktika më të gjelbra. ‘Depozita e Gjelbër’ është pikërisht një instrument i tillë, i cili jo vetëm që mbështet investimet e qëndrueshme, por gjithashtu forcon rolin e sektorit financiar në adresimin e sfidave klimatike dhe mjedisore.
Jemi të kënaqur që BpB është banka e parë partnere në fazën pilot të këtij instrumenti dhe besojmë se ky bashkëpunim do të shërbejë si një model i suksesshëm për zgjerimin e mëtejshëm të financave të gjelbra në Kosovë. Së bashku po ndërtojmë një ekosistem financiar më të qëndrueshëm, më inovativ dhe më të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë të vendit.”
Deklarata e Kryeshefes Ekzekutive të BPB
“Në BPB besojmë se tranzicioni drejt një ekonomie më të gjelbër nuk mund të mbështetet vetëm nga kreditimi i gjelbër. Për të krijuar ndikim të qëndrueshëm, është po aq e rëndësishme të angazhojmë edhe kursimtarët dhe t’u japim atyre mundësinë të kontribuojnë drejtpërdrejt në financimin e investimeve që mbrojnë mjedisin dhe krijojnë vlerë afatgjatë për shoqërinë. Pikërisht me këtë vizion, BPB lansoi Llogarinë e Gjelbër të Kursimit, produktin e parë të këtij lloji në Kosovë, duke zgjeruar konceptin e financave të gjelbra përtej huamarrjes dhe duke ngritur vetëdijen e qytetarëve për rëndësinë e kursimit të orientuar drejt investimeve të qëndrueshme. Përmes këtij produkti, çdo kursimtar ka mundësinë të bëhet pjesë aktive e tranzicionit të gjelbër dhe të kontribuojë në ndërtimin e një ekonomie më të qëndrueshme për brezat e ardhshëm.
Sot jemi veçanërisht të lumtur që po e konkretizojmë këtë vizion përmes Depozitës së parë të Gjelbër me afat, të realizuar së bashku me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore, një partner i rëndësishëm në zhvillimin e ekosistemit financiar të Kosovës. Kjo marrëveshje përfaqëson më shumë sesa një instrument financiar – ajo dëshmon se kur institucionet bashkojnë forcat rreth një qëllimi të përbashkët, mund të krijojnë ndikim real ekonomik dhe mjedisor.
Kjo iniciativë është një shembull konkret se si partneriteti ndërmjet BPB-së, FKGK-së dhe partnerëve zhvillimorë po e shndërron agjendën e gjelbër nga një vizion në investime reale me ndikim të matshëm për ekonominë dhe mjedisin e Kosovës.“



