08.21.2026

Share:

 

FKGK dhe ProCredit Bank nënshkruajnë marrëveshjen për instrumentin “Depozita e Gjelbër”

Prishtinë, 19 gusht 2026 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe ProCredit Kosovo   nënshkruan sot marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e instrumentit të ri financiar “Depozita e Gjelbër”, një iniciativë inovative që synon të mbështesë financimin e investimeve të qëndrueshme nga bizneset dhe të përshpejtojë tranzicionin drejt ekonomisë së gjelbër në Kosovë.

Përmes këtij instrumenti, FKGK vendos depozita të dedikuara në bankat partnere, të cilat do të përdoren ekskluzivisht për financimin e projekteve dhe investimeve që kontribuojnë në mbrojtjen e mjedisit, efikasitetin e energjisë, energjinë e ripërtëritshme dhe aktivitete të tjera të përcaktuara si investime të gjelbra. Në përputhje me misionin e projektit për të mbështetur ndërmarrjet kosovare në adoptimin e praktikave të qëndrueshme dhe konkurruese të biznesit, instrumenti “Depozita e Gjelbër” promovon investimet e gjelbra, rrit efikasitetin e burimeve, forcon konkurrueshmërinë e bizneseve dhe kontribuon në avancimin e tranzicionit drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe më të gjelbër. Kjo iniciativë mbështetet nga projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK). GPEK është projekt i Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i zbatuar nga Helvetas.

Marrëveshja me ProCredit Bank përfaqëson një hap të rëndësishëm në zgjerimin e zbatimit të instrumentit “Depozita e Gjelbër” dhe në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FKGK-së dhe sektorit bankar në mbështetje të investimeve të qëndrueshme. Instrumenti synon të krijojë më shumë mundësi financimi për bizneset që investojnë në zgjidhje të gjelbra dhe të kontribuojë në forcimin e ekosistemit të financave të gjelbra në Kosovë.

Përmes “Depozitës së Gjelbër”, FKGK plotëson mekanizmat ekzistues të mbështetjes së financimit me një instrument shtesë që lidh vendosjen e depozitave me financimin e investimeve të gjelbra. Në këtë mënyrë, instrumenti synon të nxisë përdorimin më strategjik të kapitalit dhe të mbështesë një rol më aktiv të institucioneve financiare në financimin e tranzicionit të gjelbër.

Gjatë ceremonisë së nënshkrimit, përfaqësuesit e FKGK-së dhe Procredit theksuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional në krijimin e mundësive të reja financiare për bizneset dhe në mbështetjen e objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit.

“Depozita e Gjelbër” është konceptuar për të ofruar një mekanizëm transparent dhe të besueshëm për financimin e investimeve të gjelbra, duke siguruar që fondet e dedikuara të përdoren vetëm për aktivitete që përmbushin kriteret e përcaktuara të qëndrueshmërisë dhe duke kontribuar në shmangien e praktikave të greenwashing-ut.

Deklarata e Drejtorit Menaxhues të FKGK-së

Lansimi i instrumentit ‘Depozita e Gjelbër’ përfaqëson një hap të rëndësishëm në përpjekjet tona për të avancuar financat e gjelbra në Kosovë. Përmes kësaj marrëveshjeje me ProCredit, po krijojmë një mekanizëm konkret që lidh drejtpërdrejt burimet financiare me investimet që gjenerojnë përfitime mjedisore dhe ekonomike afatgjata. Kjo iniciativë mbështetet gjithashtu nga Projekti “Transformimi i Gjelbër i Ndërmarrjeve Private në Kosovë” (GPEK), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim (SDC), i bashkëfinancuar nga Suedia dhe i implementuar nga Helvetas, i cili promovon investimet e gjelbra dhe adoptimin e praktikave të qëndrueshme nga bizneset kosovare.

Në Fondin Kosovar për Garanci Kreditore besojmë se tranzicioni drejt një ekonomie më të qëndrueshme kërkon jo vetëm vullnet, por edhe instrumente financiare inovative që i mundësojnë sektorit privat të investojë në teknologji dhe praktika më të gjelbra. ‘Depozita e Gjelbër’ është pikërisht një instrument i tillë, i cili jo vetëm që mbështet investimet e qëndrueshme, por gjithashtu forcon rolin e sektorit financiar në adresimin e sfidave klimatike dhe mjedisore.

Jemi të kënaqur që ProCredit është bankë partnere e këtij instrumenti dhe besojmë se ky bashkëpunim do të shërbejë si një model i suksesshëm për zgjerimin e mëtejshëm të financave të gjelbra në Kosovë. Së bashku po ndërtojmë një ekosistem financiar më të qëndrueshëm, më inovativ dhe më të orientuar drejt zhvillimit afatgjatë të vendit.”

Deklarata e Shefit Ekzekutiv të ProCredit Kosovo

Nëpërmjet këtij bashkëpunimi, FKGK dhe ProCredit Bank synojnë të mbështesin rritjen e financimit për investime të gjelbra dhe të kontribuojnë në zhvillimin e një sektori financiar më të orientuar drejt investimeve të qëndrueshme dhe nevojave të bizneseve në Kosovë.

Pastiçeria Palma – Nga zemra e Lipjanit drejt një historie suksesi

Pastiçeria Palma – Nga zemra e Lipjanit drejt një historie suksesi

Nga zemra e Lipjanit drejt një historie suksesi – Pastiçeria “Palma” Nga zemra e Lipjanit, aty ku tradita e mikpritjes dhe shija e ëmbëlsirave artizanale janë pjesë e përditshmërisë, lindi një ide që sot është shndërruar në një histori të vërtetë suksesi. Duke u...

Një dekadë FKGK – histori suksesi, partneriteti dhe zhvillimi

Një dekadë FKGK – histori suksesi, partneriteti dhe zhvillimi

10 Vjet Garanci për Zhvillim: Rrugëtimi i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore Një dekadë FKGK – histori suksesi, partneriteti dhe zhvillimi Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) shënon 10-vjetorin e themelimit, duke kremtuar një dekadë ndikimi të matshëm në...