Prishtinë, 15 shtator 2021
Sot, në ambientet e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), u nënshkrua Marrëveshja e Garancisë me Kreditimin Rural të Kosovës (KRK).
Kjo marrëveshje u nënshkrua për garantimin e kredive bujqësore brenda Dritares Agro të FKGK-së.
Kjo ngjarje shënon më tutje zgjerimin e marrëveshjeve që FKGK realizon gjatë këtij viti me Institucionet Mikrofinanciare duke ofruar garanci për kredi bujqësore për fermerët dhe agrobizneset vendore.
Lulzim Sadrija, Drejtor Ekzekutiv në KRK, theksoi që nënshkrimi i marrëveshjes së Institucioneve Mikrofinanciare me FKGK-në do të jetë shtytëse e madhe në rritjen e kreditimit dhe një hap domethënës drejt rritjes së përfshirjes financiare në Kosovë.
Znj. Bahrije Dibra, Kordinatore e Lartë për Sektorin e Financave dhe Energjisw -KfW theksoi që ky është një hap i rëndësishëm për FKGK-në meqë tani kemi marrëveshje me tri institucionet më të mëdha mikrofinanciare në Kosovë. Këto marrëveshje shpresojmë që do të lehtësojnë kredi dhënien dhe do të ndikojnë dukshëm në krijimin e kushteve sa më të mira për financimin e Agro bizneseve.
Dritarja Agro është skemë garantuese që operon në kuadër të FKGK-së me qëllim të mbështetjes së fermerëve dhe agrobizneseve duke garantuar kreditë për këtë sektor.
Deri më tani janë garantuar rreth 27 milion euro – kredi bujqësore dhe janë rreth 9 milion euro garanci aktive në këtë sektor.
Kapitali i përgjithshëm i Dritares Agro është në vlerë totale prej 11.5 milion euro që është financuar plotësisht nga Qeveria Gjermane, përmes Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW.