Fondacioni i Mileniumit të Kosovës (MFK) së bashku me Korporatën e Sfidave të Mileniumit (MCC) dhe Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) organizuan një Sesion Informues Ekzekutiv për komunitetin e donatorëve, organizatat zhvillimore dhe financiare ndërkombëtare në mënyrë që të sigurojnë më shumë informata mbi Projektin 5 milion USD të MFK-së për mbështetjen e Prodhuesve të Pavarur të Energjisë së Ripërtëritshme (IPP).
Fjalën hyrëse e mbajti Lulzim Rafuna, ushtrues i detyrës së Ministrit të Financave të Qeverisë së Kosovës, i cili deklaroi se: “Qeveria e Kosovës është e përkushtuar të mbështesë rritjen e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore si dhe Sektorit të Energjisë së Ripërtëritshme. Për më tepër, ai shprehu mirënjohje ndaj MFK dhe MCC për përpjekjet e tyre, duke siguruar mbështetjen dhe angazhimin e tyre për hapjen e dritares së garancisë për Energjinë e Ripërtëritshme.”
Kryeshefi Ekzekutiv i MFK-së, Petrit Selimi prezantoi vizionin e këtij projekti dhe ndikimin që do të ketë ai në sektorin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. “Ky është një projekt emocionues për ne si MFK, sepse ne jemi duke përdorur një qasje inovative në financa për të zhbllokuar 25 milion në financa komerciale për energjinë e ripërtëritshme.’’
Pas prezantimit të Selimit, Sarah Olmstead, Drejtoresha e Vendit e MCC-së, foli për mbështetjen aktuale për Fondin Kosovar për Garanci Kreditore në nxitjen e tregut të energjisë së ripërtëritshme, duke siguruar kështu një të ardhmen të besueshme të energjisë në Kosovë.
Për më tepër, më 02 tetor 2019, MFK mbështetur nga Korporata e Sfidave të Mileniumit (MCC), ka nënshkruar një Marrëveshje të Entit Implementues me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), si mekanizëm kryesor në Kosovë që mbështet qasjen në financa për sektorin privat. Kjo marrëveshje rregullon bashkëpunimin në mes të dy organizatave për ngritjen e ekspertizës dhe krijimin e Dritares për Garanci të Kredidhënies për Projekte dhe për Energji të Ripërtëritshme.
Drejtori menaxhues i FKGK-së, Besnik Berisha, të pranishmëve ju prezantoi në mënyrë të hollësishme strukturë aktuale të FKGK-së dhe planet për dritaren e re të energjisë së ripërtëritshme. “Bashkëpunimi në mes FKGK-së dhe MFK/MCC për lansimin e dritares garantuese për financimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme solare, do të hap rrugë për rritjen e kufijve të tregut kreditor për bankat komerciale në Kosovë, ndërsa në të njejtën kohë do të ndikojë pozitivisht në përmirësimin e mjedisit në të cilin jetojmë.” – ka deklaruar Besnik Berisha, Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK).
Albert Bossar, Drejtori i Asociuar për Tregti dhe Financa në MCC, prezantoi strukturën e programit si një mundësi për të transformuar financimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme në Kosovë. “Kjo nënvizon një rast të suksesshëm ku donatorët dhe partnerët zhvillimior mund të punojnë së bashku duke mbështetur një institucion kryesor për Kosovën, gjithashtu duke katalizuar sektorin e energjisë së ripërtëritshme.” – vuri në dukje Bossar.
Dritarja e garancisë kreditore e mbështetur nga MFK do të fokusohet në tri intervenime kyçe që kanë për qëllim financimin e energjisë së ripërtëritshme në Kosovë:
1. Sigurimi i asistencës teknike dhe zhvillimi i kapaciteteve për krijimin e një dritare garantuese për financimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme solare
2. Lansimi i projektit përshpejtues i cili përqëndrohet në kontrollimin e cilësisë dhe zhvillimin e projekteve të energjisë së ripërtëritshme të gatshme për financim bankar
3. Standardizimi i tregut përmes një pakete ku përfshihen trajnime dhe standardizim i projekteve për të ndihmuar bankat partnere të FKGK-së të vlerësojnë faktorët e riskut gjatë vlerësimit të projekteve të energjisë solare
MFK përmes financimit nga MCC ka bërë hulumtime afro dy vjeçare duke angazhuar palët kryesore të interesit dhe duke analizuar rolin e garancive në ofrimin e financimit komercial për projektet e vogla në fushën e Energjisë së Ripërtëritshme. Ky hulumtim ka analizuar barrierat kryesore të dhënies së kredive bankare në bazë të parashikimeve të performancës së projekteve në fushën e prodhimit të energjisë së ripërtritshme. Gjetjet nga kjo analizë informuan Prodhuesit e Pavarur të Energjisë së Ripërtëritshme të Kosovës dhe Projektin e Lehtësimit të Financave Komerciale.
RRETH INSTITUCIONEVE:
Fondacioni Mileniumit i Kosovës (MFK) është një fondacion i pavarur i themeluar në vitin 2018 për të zbatuar Marrëveshjen e Pragut midis Qeverisë së Kosovës dhe Korporatës së Sfidave të Mileniumit, me vlerë 49 milion USD. Programi i Pragut të Kosovës i MCC adreson dy pengesa kryesore për rritjen ekonomike të Kosovës: furnizim i paqëndrueshëm me energji elektrike; dhe dobësi reale dhe e perceptuar në sundimin e ligjit, përgjegjshmërinë e qeverisë dhe transparencën. Investimet e MCC janë krijuar për të forcuar sektorin e energjisë duke nxitur një qasje të drejtuar nga tregu për të ulur kostot e energjisë për familjet dhe bizneset, duke inkurajuar efikasitetin e energjisë dhe duke zhvilluar burime të reja të gjenerimit të energjisë elektrike. Programi gjithashtu mbështet përpjekjet e Qeverisë së Kosovës për të përmirësuar vendimmarrjen dhe përgjegjshmërinë duke rritur mundësinë e përdorimit të të dhënave gjyqësore, mjedisore dhe të forcës së punës.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) është institucion vendor, i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar deri në 50% të rrezikunt kreditor për kreditë e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të). FKGK luan rol kyç në përkrahjen e NMVM-ve duke zgjeruar qasjen në financa dhe duke mundësuar rritjen e tyre. Duke zvogëluar rrezikun e huadhënies për NMVM-të, ajo inkurajon institucionet financiare partnere të FKGK-së që të rrisin volumin e kredidhënies për NMVM-të, të zgjerojnë produktet dhe shërbimet në për NMVM-të dhe të përmirësojnë kushtet e kredidhënies. FKGK ndihmon institucionet financiare të kreditojnë NMVM-të e qëndrueshme por që nuk do të mund të kualifikoheshin për kredi pa garanci, ose, nëse do të kishin tashmë një kredi, nuk do të kualifikoheshin për të marrë financim shtesë që do t’u duhej për t’u rritur tutje.