REC PLAST – Biznesi që reciklon 500 tonë mbeturina duke pastruar Kosovën
Fondi Kosovar për Kreditore është i përkushtuar ndaj menaxhimit të qëndrueshëm korporativ dhe ndaj përgjegjësisë sociale. Gjithnjë duke i koordinuar aktivitetet me donatorë, institucione financiare dhe rregullatorët lokalë, mundohemi t’u shërbejmë interesave afatgjate ekonomike të vendit, komunitetit të biznesit dhe shoqërisë sonë në përgjithësi.
Prandaj, kësaj rradhe kemi përzgjedhur një biznes të veçantë për këtë tregim suksesi, biznes që kontribon drejtëpërdrejtë në përmirësimin dhe pastrimin e ambientit dhe rrethit ku jetojmë, përmes mbledhjes dhe përpunimit të mbeturinave. Vitomirica, një fshat afër Pejës, regjion i cili shquhet për ajrin e pastër që ia mundëson natyra me pejsazhet e bukura të maleve përreth saj.
Sapo arritëm në fabrikën RecPlast, Shefqeti, babai dhe ideatori i gjithë këtj biznesi na mirëpret ngrohtësisht duke na treguar shumë storje nga jeta e tij interesante. Derisa prisnim të vinte pronari i kompanisë (djali i Shefqetit) Fazqeti, ne kishim mundësinë të shihnim për së afërmi rëndësinë e madhe që ka mbledhja e mbeturinave dhe reciklimi i tyre.
Në një hapësirë të gjerë, të mbushur plot mbeturina plastike, hapësirë kjo që kur e paramendon dëmin që shkaktojnë në ambient sikur të ishin ende nëpër hapsirat e Kosovës, të jep të kuptosh shumë më mirë rëndësinë e konceptit të këtij lloji të biznesit.
Të gjitha mebturinat e grumbulluara aty së pari ndahen dhe klasifikohen që pastaj të procesohen përmes makinës për reciklim, që shndërron mbeturinat në lëndë të parë.
Granulat shumëngjyrëshe të plastikës, janë produkti final i përfituar nga një sërë etapash pune.
“ Ruajtja e ambientit bëhet nga njerëz në nevojë” – ishte deklarata e Fazqetit që nënkupton që mbeturinat i grumbullojnë njerëz që janë të varfër ekonomikisht dhe mbledhjen e mbeturinave e kanë punë primare. Gjë që do të duhej të ishte ndryshe, pra të krijohen kushtet dhe adoptohen politika që do të zhvillonin dhe mundësoni lehtësira për këtë lloj biznesi.
Ne në RecPlast gjatë një viti grumbullojmë dhe eliminojmë 500 tonë mbeturina nga e gjithë Kosova. Pra, puna jonë kontribuon për një Kosovë më të pastër – na tha pronari.
Përmes kredisë së garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, RecPlast ka blerë një makinë të re për reciklim, që do të rris kapacitetin e kompanisë në përpunim dhe reciklim të mbeturinave. Kur kjo përkthehet në sasinë e mbeturinave që do të grumbullohen dhe reciklohen, na tregon ndikimin pozitiv që do ta ketë për një ambient më të pastër në Kosovë.