WE Finance Code

Letër Zotim

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) ka nderin të mbështesë Kodin Financiar për Gratë ndërmarrëse (në vijim “WE Finance Code” ose “Kodi”), një iniciativë ndërkombëtare e cila synon të mbyllë boshllëqet

në financim dhe të eliminojë pengesat për gratë ndërmarrëse. FKGK është e përkushtuar që të bashkëpunojë me akterët e tjerë në Kosovë për të ofruar lidership, për të  përmirësuar cilësinë e të dhënave dhe për të

ndërmarrë  veprime konkrete në mbështetje të kësaj agjende.

Si Nënshkrues të WE Finance Code, FKGK zotohet për angazhimet e mëposhtme nën secilën nga  tre shtyllat kryesore të Kodit:

Angazhimet në Fushën e Lidershipit:

  1. FKGK cakton Nora Arifi si kampione e WE Finance Code për të udhëhequr dhe përfaqësuar përpjekjet e institucionit tonë në kuadër të Kodit.
  2. Promovimi i një mjedisi gjithëpërfshirës pune dhe jodiskriminues, në rekrutim, trajnime dhe zhvillim të karrierës, duke i mbështetur të gjithë punonjësit në rritjen dhe zhvillimin e tyre profesional.
  3. Publikimi i një seksioni të veçantë mbi barazinë gjinore brenda institucionit në Raportin Vjetor të FKGK-së, për të promovuar transparencën dhe llogaridhënien.
  4. Promovimi i grave ndërmarrëse dhe historive të tyre të suksesit si përfituese të garancive kreditore të FKGK-së, duke përdorur dëshmi nga klientet.
  5. FKGK do të bashkëpunojë në hulumtime, së bashku me Institucionet Financiare të Regjistruara, që të identifikojë nevojat e klientëve të tyre, biznese të drejtuara nga gratë dhe burrat, për të ofruar shërbime më të përshtatura.
  6. Promovimi i institucionit si mbështetës i grave ndërmarrëse dhe promovim aktiv i mundësive të financimit dhe lehtësimit të qasjes në financa për NMVM-të përmes Dritares për Gratë në Biznes të FKGK-së.

Angazhimet për të dhënat/raporte:

  1. Të përcjellë indikatorët e WE Finance Code mbi nivelin e financimit të dhënë për NMVM-të me pronare gra.
  2. Të mbështesë grumbullimin e të dhënave mbi nivelin e financimit për biznese të grave.
  3. Të azhurnojë/përputhë MIS-in e FKGK-së me përkufizimin e rekomanduar të koalicionit kombëtar për bizneset e grave, për raportimin nën WE Finance Code, duke ruajtur përkufizimin e FKGK-së për gratë në biznes për qëllime të brendshme.
  4. Të përdorë të dhënat nga paneli i monitorimit (dashboard) i WE Finance Code për të informuar procesin e vendimmarrjes.

Angazhimet për Veprim:

 

  1. Të zhvillojë dhe zbatojë shërbime jo-financiare për kompanitë të drejtuara nga gra, për të forcuar praninë dhe konkurrueshmërinë e tyre në treg.
  2. Të organizojë ngjarje rrjetëzimi dhe të ofrojë mbështetje për gratë ndërmarrëse që të kenë qasje në tregje të reja, duke përfshirë konferenca dhe panaire.
  3. Të rrisë numrin e NMVM-ve të drejtuara nga gratë që përfitojnë nga garancitë në kuadër të Dritares Gratë në Biznes.
  4. Të ofrojë trajnim për zyrtarët e kredive të institucioneve financiare partnere mbi përdorimin e garancive kreditore dhe mundësitë që ofron Dritarja për Gratë në Biznes.
  5. Të ndërmerren iniciativa marketingu me Institucionet Financiare të Regjistruara në FKGK për promovimin e kredive dhe garancive për NMVM-të e udhëhequra nga gratë, përmes fushatave të përbashkëta dhe publikimeve bashkëpunuese në rrjetet sociale.