Qeveria e Republikës së Kosovës dhe Asociacioni Zhvillimor Ndërkombëtar, pjesë e Bankës Botërore, kanë nënshkruar marrëveshjen për financim për Projektin e Fuqizimit të Sektorit Financiar.
Si rezultat i marrëveshjes për financim të Projektit të Fuqizimit të Sektorit Financiar kapitali i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore u rrit në vlerë prej 21.4 milionë euro. Përmes Projektit për Fuqizimin e Sektorit Financiar, Banka Botërore synon të mbështesë rimëkëmbjen e ekonomisë së Kosovës përmes mbështetjes së qasjes në financa për ndërmarrjet mikro të vogla dhe të mesme. Kjo komponentë përpos sektorëve ekonomik në përgjithësi, synon të targetojë posaqërisht segmentet e margjinalizuara të tregut, siç janë gratë në biznes, ndërmarrësit e rinj dhe sektori i prodhimit. Projekti për Fuqizimin e Sektorit Financiar po ashtu synon të avancojë kapacitetet financiare dhe teknike të FKGK-së përmes sigurimit të asistencës teknike. Vlera totale e marrëveshjes për ndihmë duke përfshirë edhe asistencën teknike është rreth 22.3 milionë euro.
Përmes këtij kapitali, FKGK do të fuqizojë rolin e saj në përpjekjet për luftimin e efekteve negative të shkaktuara nga pandemia e COVID-19 në kuadër të Pakos për Rimëkëmbje Ekonomike.