Prishtinë, 16 qershor 2017 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) sot nënshkroi marrëveshjen e garancisë me Bankën Tregtare Kombëtare Dega në Kosovë (BKT). Marrëveshja do t’i mundësojë bankës të përfitojë më shumë siguri kolaterali për kreditë e lëshuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të), duke ofruar kështu qasje më të lehtë në financa për kompanitë kosovare.
Marrëveshja synon të zgjerojë kredidhënien për bizneset kosovare, të kontribuojë në krijimin e vendeve të punës, rritjen ekonomike, si dhe në rritjen e mundësive për sektorë ekonomikë si gratë, pakicat, bujqit, ndërmarrësit dhe rininë.
BKT është Banka e shtatë e cila ka nënshkruar marreveshjen e garancisë me FKGK. Ne besojmë se marrëveshja me BKT-në do të rritë kontributin e Bankës drejt zhvillimit të portofolit të garancisë dhe arritjes së qëllimeve të marrëveshjes.
Shuma totale e kredive të miratuara nga Bankat të cilat janë vënë nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë rreth 13 milionë euro të shpërndara në 300 kredi.
Cila është procedura për të përfituar nga ai? Bizneset aplikojnë për kredi në bankë si më parë, duke kaluar të gjitha procedurat e bankës. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, apo kushtet tjera nuk plotësohen, banka mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi, duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së. Bizneset nuk mund të aplikojnë tek FKGK-ja që të marrin garancinë.
Ceremonia e nënshkrimit u mbajt në zyrat e FKGK-së, në rrugën Anton Çetta nr. 5A, në Prishtinë.