Prishtinë, 28 shkurt 2019 – Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) nënshkroi marrëveshjet e garancisë për Dritaren Agro me ProCredit Bank dhe Bankën për Biznes, Bankën Kombëtare Tregtare, NLB, TEB SH.A., Raiffeisen Bank Kosovë dhe Bankën Ekonomike.
Dritarja Agro është një linjë e re garantuese e cila është financuar në tërësi nga Qeveria Gjermane, me ndërmjetësim të Bankës Gjermane për Zhvillim – KfW dhe që ka për qëllim mbështetjen e agrobizneseve përmes rritjes së kredidhënies në sektorin e bujqësisë.
Kjo linjë garantuese që do të operojë në kuadër të FKGK-së në periudhën katërvjeqare, falë mbështetjes së KfW-së do të ofrohet me kushte më të favorshme për garancitë kreditore në sektorin e Bujqësisë. Linja garantuese njëheri do të ju mundësojë bankave të përfitojnë më shumë siguri kolaterali për kreditë e lëshuara për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM-të) të cilat operojnë si hallkë e zinxhirit ne sektorin e Bujqësisë.
Gjatë këtyre organizimeve, u diskutua poashtu rreth rëndësisë së linjës së re si dhe marrëveshjes së re të garancisë drejt zgjërimit të kredidhënies duke ofruar kështu qasje më të lehtë në financa për NMVM-të me fokus në sektorin e Bujqësisë, si një ndër sektorët më të rëndësishëm në krijimin e vendeve të punës dhe në krijimin e vlerës së shtuar në ekonomi.
Ceremonitë e nënshkrimit u mbajtën në zyrat e FKGK-së, ndërsa prezent ishin përfaqësues të Ambasadës Gjermane, KfW-së, USAID-it, Bankave partnere dhe FKGK-së.
Shuma totale e kredive të miratuara nga bankat dhe që janë dorëzuar nën mbulimin e garancisë ka arritur tashmë në 93.7 milionë euro të shpërndara në 2,404 kredi, ndërsa investimet e bëra me këto kredi premtojnë mbi 3’400 vende të reja pune.
Cila është procedura për të përfituar nga ai? Bizneset aplikojnë për kredi në bankë si më parë, duke kaluar të gjitha procedurat e bankës. Nëse vlera e hipotekës/kolateralit të kredimarrësit të ardhshëm nuk është e mjaftueshme, apo kushtet tjera nuk plotësohen, banka mund të vendosë që ta kualifikojë biznesin dhe ta lëshojë atë kredi, duke shfrytëzuar garancinë e FKGK-së. Bizneset nuk mund të aplikojnë tek FKGK-ja që të marrin garancinë.