06.17.2022

Share:

 

Prishtinë, 17 qershor 2022 Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) dhe partnerët promovuan sot dritaren e re të garancioneve bankare GROW (Green Recovery and Opportunity Window) e cila do të mbështesë investimet e bizneseve kosovare në energji të ripërtërishme dhe efiçiencë të energjisë.

Nëpërmjet GROW – Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbërta do të jepen garanci të reja për institucionet financiare partnere në dobi të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme për financimet që ato do t’i bëjnë në fushën e energjisë së ripërtëritshme dhe efiçencës së energjisë.

Projekti GROW i dizajnuar dhe financuar nga Fondacioni i Milleniumit i Kosovës (MFK) dhe i përkrahur nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), hapi sot fazën e dytë të projektit.  Falë kapitalit prej 6 milion Euro të donuar nga qeveria gjermane përmes Bankës Gjermane për Zhvillim KfW, dhe garancioneve shtesë te lëshuara nga agjencioni federal amerikan DFC, dritarja e re e implementuar nga FKGK do t’i ndihmojë institucionet partnere financiare në kreditimin e sektorëve të cilët nuk janë shërbyer deri më tani.

Si pjesë e fazës pilot, FKGK ka nënshkruar marrëveshjen me bankën ProCredit, si partneri i parë financiar i cili do të ofrojë këtë lloj shërbimi për klientët e tij. Së shpejti do të vijojë bashkëpunimi me institucione të tjera financiare në Kosovë.

“Kriza energjetike në Kosovë ka nxjerrur në pah mungesën e investimeve në gjenerimin e energjisë në Kosovë.  Barra është bërë edhe më e madhe për ekonominë e Kosovës. Kjo dritare e garancioneve bankare do të ndihmojë në fillimin e gjenerimit të gjelbër dhe do t’i ndihmojë bizneset të marrin kontrollin e kostove të tyre të energjisë”- u shpreh Sarah Olmstead, Drejtore e MCC-së për Kosovë.

Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, ka thënë se “ky projekt do të mundësojë rritjen e potencialit garantues të FKGK-së, duke bërë të mundur rritjen e numrit të përfituesve nga garancionet që lëshon ky institucion, ku një numër më i madh i bizneseve me vështirësi të qasjes në financim kreditor, do të mund të sigurojnë qasje me kushte lehtësuese në këtë burim financimi“.

Drejtori i Fondit Kosovar për Garanci Bankare, Besnik Berisha, deklaroi se: „Misioni i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore është lehtësimi i qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Në rastin konkret „Dritarja e Rimëkëmbjes dhe Mundësive të Gjelbërta” do të mbështesë fuqizimin e investimeve në këtë drejtim, gjë që është thelbësore për një zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm dhe rritjen e aftësisë konkuruese të ndërmarrjeve kosovare.

“GROW filloi me analizën e pengesave për zhvillim që na ndihmoi të kuptojmë se si të mundësojmë investime në energjinë e gjelbër. Gjatë gjithë procesit, për katër vitet e fundit, ekipi i MFK-së ka punuar me durim dhe zell me FKGK-në për të siguruar që të gjitha pritjet dhe synimet janë përmbushur!” – shtoi Petrit Selimi, Drejtor Ekzekutiv i MFK-së.

“GROW – vërtet një dritare e mundësive në Kosovë”, theksoi Vera Baumann – Shefe e Koordinimit për Bashkëpunim dhe Zhvillim në Ambasadën e Gjermanisë. “Duke qenë se investimet e huaja po rriten kjo dritare do t’iu hapë kompanive kosovare mundësi bashkëpunimi me investitorë të huaj në të ardhmen.”

René Eschemann, Drejtor i KfW për Kosovë theksoi: “Kriza energjetike ofron mundësinë për të rimenduar burimet dhe përdorimin e energjisë – si mund të reduktojmë konsumin tonë të energjisë dhe gjurmën e karbonit, ta reduktojmë varësinë nga energjia dhe të kthehemi drejt energjisë së gjelbër dhe zgjidhjeve efiçiente. Dritarja e re e garancisë së FKGK-së ofron mbështetje për këto investime të gjelbra në Kosovë – për të mirën e bizneseve, për të përshpejtuar rritjen e sektorit të teknologjisë së gjelbër në vend dhe për të mirën e planetit tonë”.

GROW tashmë ofron asistencë teknike falas për bizneset duke i shqyrtuar potencialet dhe nevojat tyre për të investuar në energji solare por edhe efiçiencë të energjisë.  Përmes trajnimeve të ndryshme mbarë Kosovës, mbi 100 kompani janë informuar për aspektet teknike dhe financiare të këtyre investimeve.

Bizneset mund të aplikojnë përmes growkosovo.com për të fituar ndihmë teknike falas dhe për të mësuar më shumë rreth mundësive që ofron GROW.

JONI SH – Një ndërmarrje me vizion

JONI SH – Një ndërmarrje me vizion

JONI SH - Një ndërmarrje me vizion   Në zemër të fshatit Ballofc të Podujevës, do ta shpalosim një storje suksesi për kompaninë JONI SH Sh.p.k. të themeluar në vitin 2016 nga Alban Shabani, një i ri me shpirt ndërmarrës dhe me vizion të qartë. JONI SH Sh.p.k....

Zgjojet e Bletëve në Fshatin Piktoresk

Zgjojet e Bletëve në Fshatin Piktoresk

Storie suksesi  - Zgjojet e bletëve në fshatin piktoresk   Javën e kaluar udhëtuam për në fshatin piktoresk Rubofc të komunës së Lipjanit për të vizituar kultivuesin e pasionuar të bletëve, Bekim Bajqinca, pronar i kompanisë “Bletaria Blenardi”. Nga dashuria dhe...