Një simfoni e të mësuarit brenda botës magjepsëse të Qendrës LET në Prishtinë
Në zemër të Prishtinës, në një lagje të re, arrita në Qendrën LET, ku u mirëprita nga fëmijët e buzëqeshur, stafi miqësor, në shoqërimin e Lidës, udhëheqëses energjike që të mbush pozitivitet. Përkushtimi i saj vërehej që në hyrje të Qendrës LET. Së bashku me ekipin e saj, ajo e ka shndërruar këtë qendër në një vend të shenjtë gëzimi dhe mësimi.
Gjatë vizitës në Qendër i shihja në fëmijët të cilët, me plot buzëqeshje, që në fillim të ditës angazhoheshin në një sërë aktivitetesh të krijuara me kujdes për të ndezur kureshtjen dhe zhvilluar imagjinatën. Klasa e sportit të shahut, klasa e artit, klasa e muzikës, klasat e aktiviteteve të llojllojshme, të dizajnuara me aq kujdes për të krijuar ambient miqësor për fëmijët e moshës 0-6 vjeçe.
Të gjitha këndet e Qendrës LET ishin shndërruar në vende për mësim, lojë e aktivitete, ashtu që të shtohej ndjenja e gëzimit dhe kreativitetit. Duke aplikuar lojëra ndërvepruese dhe mësime përmes lojërave të shumta, edukatoret përfshiheshin me zemër në formësimin e mendjeve të fëmijëve, duke mbjellë dashuri të veçantë për të nxënit dhe të mësuarit që nuk njeh kufij.
“Këtu ku jemi sot kemi arritur me shumë punë dhe përkushtim, së bashku me të gjithë punonjësit e Qendrës LET” – na tha Lida, pronarja/udhëheqësja e kësaj qendre edukimi.
Fillimet e secilit biznes janë të vështira, por, me vendosmëri, ide origjinale dhe përkushtim maksimal, kemi arritur ta hapim këtë qendër, e cila sot ka kapacitet për të pranuar deri në 120 fëmijë. Qasja në financim nuk është fare e lehtë për gratë. Shpeshherë, jemi kategori e shërbyer më pak për sa i përket financimit, meqë nuk kemi prona në emrin tonë. Por, falë bashkëpunimit afatgjatë që kemi krijuar me bankën dhe falë garantimit të kredisë nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, kemi arritur ta zgjerojmë biznesin dhe tani, bashkë me Fitoren, motrën time, i kemi dy qendra edukimi për fëmijë, vazhdoi Lida.
Sikurse çdo biznes tjetër, edhe ky lloj biznesi i ka veçoritë dhe sfidat e veta. Ne të gjithë jemi të ndjeshëm kur bëhet fjalë për fëmijët dhe edukimin e tyre. Si qendër edukimi, duhet të përçojmë mirëbesim te prindërit, t’i plotësojnë pritjet e tyre, si për nga aspekti përmbajtësor ashtu edhe në ofrimin e kushteve dhe mjedisit cilësor e miqësor për fëmijët.
“Në këtë mënyrë, prindërit na besojnë dhe ndjehen rehat gjatë kohës sa fëmijët janë në qendrën tonë”, tha Lida.
Sot në qendrën tonë i kemi 15 edukatorë dhe 65 fëmijë që vijojnë mësimin, të moshës nga 0 deri 6 vjeç. Do të vazhdojmë të jemi qendër arsimi për fëmijët, ku të gjithë do ta ndjejnë sigurinë, mirëqenien dhe profesionalizmin tonë. Do të zgjerohemi edhe më tutje, ashtu që fëmijëve t’ju mbjellim dashurinë për artin, muzikën, edukatën fizike, diturinë e kreativitetin, që të mbjellim farën e mendimit kritik në mënyrë që gjeneratat e reja të kenë prosperitet.