11.12.2025

Share:

 

PriBank bëhet partner i plotë financiar i FKGK-së me qasje në të gjitha dritaret garantuese

 

Prishtinë, 12.11.2025 – Në ambientet e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK) sot u nënshkrua marrëveshja mes FKGK-së dhe PriBank, përmes së cilës PriBank fiton statusin e Institucionit të Regjistruar Financiar me të drejta të plota bashkëpunimi në kuadër të FKGK-së.

Kjo marrëveshje shënon kalimin e PriBank nga faza e pararegjistrimit në partneritet të plotë, duke i mundësuar qasje në të gjitha dritaret garantuese me një limit të përgjithshëm garancie prej 6.5 milionë euro.

Përmes këtij bashkëpunimi, PriBank do të ofrojë kredi për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM), të mbështetura me garanci nga FKGK, duke lehtësuar qasjen në financa për sektorë kyç të ekonomisë dhe duke nxitur rritjen e qëndrueshme, eksportet dhe sipërmarrjen inovative.

Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, janë dritaret strategjike si Dritarja GROW, Dritarja për Gratë në Biznes dhe Dritarja për ndërmarrje të reja-Startup-et,  të cilat janë  tanimë  me veҫori  të reja, duke përfshirë ndër të tjera:

  • Maturitet më të gjatë, të përshtatur me natyrën e investimeve dhe ciklet e biznesit.
  • Mbulim më të lartë të garancisë, për të lehtësuar qasjen në kredi dhe për të ulur rrezikun për financuesit.
  • Kufij më të lartë financimi, si në ekspozim kreditor ashtu edhe në shumën maksimale të kredisë, për projekte më ambicioze.
  • Tarifa më të favorshme të garancisë, për të ulur kostot e financimit për ndërmarrjet përfituese.
  • Procedura të thjeshtuara dhe fleksibilitet më të madh në vlerësim, varësisht nga produkti dhe nevojat e biznesit.

Këto përmirësime rrisin atraktivitetin e skemave, nxisin investimet e qëndrueshme (përmes GROW), zhvillimin e bizneseve me pronare gra dhe fuqizimin e startup-ve në Kosovë.

 

DEKLARATA E DREJTORIT MENAXHUES TË FKGK-së

Me nënshkrimin e marrëveshjes me PriBank, numri i Partnerëve Financiarë të FKGK-së rritet në tetë banka komerciale dhe katër institucione mikrofinanciare  duke zgjeruar në mënyrë të qëndrueshme ndikimin e FKGK-së në ekonomi. Përmes skemave tona garantuese ju mundësojmë qasje më të lehtë në financa edhe më shumë ndërmarrjeve. Përmirësimet që kemi bërë në dritaret strategjike rrisin atraktivitetin e financimit, nxisin investimet e gjelbra dhe fuqizojnë ndërmarrësinë inovative në gjithë Kosovën.

Deklarata e Drejtorit Ekzekutiv të PriBank

Drejtori Ekzekutiv i PriBank z. Fatos Krasniqi theksoi:

“PRIBANK ka kënaqësinë të njoftojë anëtarësimin në Fondin Kreditor Garantues të Kosovës (FKGK), një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të bizneseve vendore dhe lehtësimit të qasjes në financa për ndërmarrjet mikro, të vogla dhe të mesme. Ky bashkëpunim do të mundësojë zgjerimin e mbështetjes për klientët tanë, nxitjen e inovacionit dhe përmirësimin e qasjes në financa për ndërmarrësit me ide premtuese.

Përmes këtij partneriteti, PRIBANK konfirmon edhe një herë përkushtimin për të ndërtuar një sistem bankar më gjithëpërfshirës dhe më të qëndrueshëm, duke kontribuar në zhvillimin ekonomik të Kosovës”.

 

Rreth FKGK

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është një institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm që lëshon garanci për institucionet financiare për mbulimin e rrezikut kreditor të ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme (NMVM).

FKGK është themeluar në janar të vitit 2016, bazuar në Ligjin për Themelimin e Fondit Kosovar për Garanci Kreditore. Qëllimi i FKGK-së është të mbështesë sektorin privat në Kosovë, duke zgjeruar qasjen në financa për NMVM-të, duke mundësuar kështu krijimin e vendeve të punës, rritjen e prodhimit vendor, përmirësimin e bilancit tregtar dhe avancimin e mundësive për sektorët ekonomikë.

Deri më 30 shtator 2025, kapitali i përgjithshëm i FKGK-së ka arritur shumën totale € 104,838,974 . Shuma e kredive të garantuara ka arritur vlerën 992,451 milionë euro dhe numri i përgjithshëm i kredive të garantuara është 19,942.

Gerti Foods Sh.p.k – Nga zemra e Hasit në tregjet evropiane

Gerti Foods Sh.p.k – Nga zemra e Hasit në tregjet evropiane

Gerti Foods Sh.p.k. – kur tradita bëhet markë ndërkombëtare Nga Hasi, një trevë e njohur për mikpritjen dhe trashëgiminë e pasur të gatimit të brumërave, lindi një ide që sot është shndërruar në një histori të vërtetë suksesi. Duke u mbështetur në traditën familjare...