08.14.2023

Share:

 

JONI SH – Një ndërmarrje me vizion

 

Në zemër të fshatit Ballofc të Podujevës, do ta shpalosim një storje suksesi për kompaninë JONI SH Sh.p.k. të themeluar në vitin 2016 nga Alban Shabani, një i ri me shpirt ndërmarrës dhe me vizion të qartë.

JONI SH Sh.p.k. filloi një rrugëtim që do ta transformonte jo vetëm fatin e themeluesit por edhe të fermerëve dhe të punësuarve të panumërt që u bënë pjesë e këtij rrëfimi frymëzues.

Rrugëtimi i JONI SH filloi me Albanin, një vizionar i ri me vendosmërinë për të krijuar diçka të jashtëzakonshme. Me shumë pasion për bujqësinë dhe me besim të palëkundur në vizionin e tij, ai filloi me mbjelljen e frutave në tokën e trashëguar nga prindërit.  Këtë biznes e filloi i vetëm, por shumë shpejt u shndërrua në kompani me rritje në vazhdimësi. 

Në vitin 2020, kjo kompani u operacionalizua edhe me përkrahjen nga donatorë dhe përmes kredive nga bankat e ndryshme, dhe këto të fundit ishin të garantuara nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore dhe u shfrytëzuan për kapital punues,  biznesi zgjeroi horizontet, jo vetëm për nga madhësia, por edhe për nga ndikimi i tij. 

Sot, Joni Sh posedon fabrikën të  pajisur me makineri moderne për paketim dhe ngrirje të frutave dhe  është kompania e parë që përveç frutave tradicionale si kajsi, mollë e kumbulla,  ka arritur të ofrojë në treg paketime të ngrira të frutave të malit si mjedër, dredhëza, boronicë, manaferrë, etj.

Vit pas viti, ekipi u rrit. Nga një njeri, sot me  25 të punësuar të rregullt të përkushtuar, të cilët nuk janë thjesht të punësuar por shtylla e JONI SH Sh.p.k. Angazhimi dhe përkushtimi i tyre, e shndërroi këtë ndërmarrje në një biznes me storje të veçantë dhe të jashtëzakonshme.

Shpirti ndërmarrës i Albanit nuk u kufizua në kufijtë e biznesit të tij. Duke njohur potencialin e bashkëpunimit dhe simbiozës, ai krijoi partneritete me mbi 30 fermerë vendas të cilët tani u fuqizuan për të kontribuar në vizionin e tij. Këta fermerë sot janë mbi 300 të cilët sjellin produktet e Kosovës, kryesisht mjedra, dhe janë pjesë integrale e një zinxhiri furnizimi që ka arritur të depërtojë edhe në tregjet ndërkombëtare. Kjo lëvizje jo vetëm që rriti rentabilitetin e biznesit, por solli edhe shije të mira të produkteve kosovare në tryezat ndërkombëtare. Duke ofruar gamë të gjerë të frutave me cilësi të lartë sipas standardeve ndërkombëtare  ISO, frutat e selektuara me kujdes  tani po shijohen nga njerëzit përtej kufijve, duke i lidhur kulturat përmes shijimit të bujarisë së natyrës.

Sot, teksa shikojmë JONI SH Sh.p.k., shohim jo thjesht një biznes, por një dëshmi të potencialit njerëzor dhe fuqisë së ëndrrave. Një ndërmarrje dikur modeste që filloi me vendosmërinë e një njeriu , sot është një emblemë suksesi që ka prekur jetën e individëve të panumërt. 

Kjo storje na dëshmon që me pasion, energji, fleksibilitet dhe vizion të qartë, edhe ëndrrat më të guximshme mund të kthehen në realitet që formëson peizazhin e një industrie të tërë.

Nënshkruhet Marrëveshja e Garancisë mes FKGK dhe Sida

Nënshkruhet Marrëveshja e Garancisë mes FKGK dhe Sida

Nënshkruhet marrëveshja e garancisë mes FKGK dhe Sida   Sot, FKGK dhe Sida – përfaqësuar nga Ambasada e Suedisë në Kosovë nënshkruan marrëveshjen e garancisë në vlerë 14,9 milionë euro. Në këtë ngjarje ishin të pranishëm përfaqësues nga Qeveria e Republikës së...

Zgjojet e Bletëve në Fshatin Piktoresk

Zgjojet e Bletëve në Fshatin Piktoresk

Storie suksesi  - Zgjojet e bletëve në fshatin piktoresk   Javën e kaluar udhëtuam për në fshatin piktoresk Rubofc të komunës së Lipjanit për të vizituar kultivuesin e pasionuar të bletëve, Bekim Bajqinca, pronar i kompanisë “Bletaria Blenardi”. Nga dashuria dhe...