05.11.2020

Share:

 
Katërvjetori i lansimit të Fondit Kosovar për Garanci Kreditore

Të nderuar lexues,

Sot, përvjetori i katërt i nisjes së veprimtarisë së Fondit Kosovar për Garanci Kreditore në formë zyrtare, na gjen në një situatë të paparë më herët, duke u sfiduar me pasojat e krizës së shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Për dallim nga vitet tjera, këtë vit, shënimin e këtij përvjetori jemi të detyruar ta bëjmë duke iu përshtatur rrethanave aktuale – me komunikim nga distanca, ndërsa si temë kryesore për diskutim kemi zgjedhur rolin që kanë skemat garantuese, me theks të veçantë rolin që FKGK ka, në procesin e rimëkëmbjes së ekonomive kombëtare, respektivisht ekonomisë së Kosovës, pas krizës së COVID-19.

Hyrje

Tanimë, fakti që kriza shëndetësore e shkaktuar nga pandemia e COVID-19 do të ketë impakt negativ në ekonominë reale, është bërë realitet i dukshëm pothuajse në pjesën më të madhe të globit. Ekonomia e Kosovës nuk bën përjashtim nga situata e tillë dhe nuk do të mbetet imune ndaj ngadalësimit ekonomik të shkaktuar si rezultat i tronditjeve që kanë marrë oferta dhe kërkesa agregate nga kriza aktuale. Ndërsa sektori i NVM-ve, i cili është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës dhe konsiderohet si gjeneratori kryesor i vendeve të reja të punës, padyshim që do të goditet më së shumti. Ndërprerja e disa aktiviteteve të biznesit, siç janë: hoteleria, restorantet, transporti i udhëtarëve, qendrat tregtare, tregtia dhe përpunimi i metaleve etj., si rezultat i masave qeveritare për të penguar përhapjen e pandemisë ka shkaktuar ngadalësim ekonomik dhe rritje të papunësisë. Mirëpo, çfarë është më e rëndësishme, kjo ka ndikuar në uljen e besimit në mesin e konsumatorëve për të shpenzuar, ndërkohë që po ashtu ka ulur ndjeshëm gatishmërinë e sektorit privat për të investuar. Rënia e fuqisë dhe gatishmërisë blerëse, vështirësitë në kanalet e furnizimit, si dhe ulja e aktivitetit kreditor nga bankat komerciale, medoemos do të rezultojë në situata insolvente për disa nga bizneset, ndërsa një pjesë e madhe do të ballafaqohen me mungesë të theksuar të likuiditetit, gjë që do të rezultojë në dështim të përmbushjes së detyrimeve, ndërsa në rastin më të mirë në shtyrje të pagesave apo ristrukturim të detyrimeve ndaj furnitorëve, bankave, apo edhe mospërmbushjen e detyrimeve ndaj punëmarrësve. Më tutje këto dukuri, të theksuara më sipër, do të vazhdojnë ta ushqejnë edhe më tej këtë qark vicioz në ekonomi, duke thelluar edhe më shumë krizën nga: ulja e punësimit, rënia e kërkesës agregate (apo siç do ta quante Adam Smith “kërkesës efektive”), përkeqësimi i gjendjes financiare të bizneseve, ulja e investimeve nga sektori privat, degradimi i cilësisë së aseteve në sektorin bankar që medoemos do të rezultojë në rritjen e qasjes konservatore nga bankat ndaj kreditimit si rezultat i rritjes së perceptimit të riskut kreditor.

Roli i ndërhyrjes së shtetit, nëpërmjet instrumenteve të politikës fiskale dhe monetare, për të ndihmuar ringjalljen e ekonomisë dhe për t’i dhënë shtytje sektorit bankar, pas krizave ekonomike dhe financiare, është vendimtar. Përvoja nga krizat financiare në të kaluarën, në mbarë botën, na ka treguar që hendeku i krizës financiare, përveç nga shkaku i krizës financiare, varet shumë nga reagimi dhe gatishmëria e politikëbërësve për të luftuar pasojat e krizës dhe kthimin e besimit në ekonominë e vendit. Në këtë drejtim, pasqyra e dhënë nuk do të ishte e plotë pa e përmendur një fakt shumë me rëndësi, që politika intervencioniste e shtetit do të duhej të jetë optimale deri në atë pikë ku nuk do të ndikonte në dekurajimin e ideve novatore të ndërmarrësisë, si dhe nuk do të promovonte praktika jo të mira që do ta dëmtonin meritokracinë, konkurrencën e lirë dhe veprimin e forcave të tregut në ekonomi. Është me rëndësi të ceket që politika ekonomike intervencioniste, ndonëse e nevojshme për të luftuar pasojat e krizës, duhet të zbatohet medoemos me një strategji dalëse, në mënyrë që mos të krijojë varësi dhe joefikasitet në ekonomi.

Kreditimi është një nga instrumentet kryesore për luftimin e mungesës së likuiditetit në treg, nxitjen e kërkesës agregate dhe si rrjedhojë mbështetjen e ringjalljes ekonomike pas krizës financiare. Kjo është jetike për rimëkëmbjen e sektorit privat, të përfaqësuar nga NMVM-të, që burimin e vetëm të financimit e kanë në formë të kredive nga bankat. Sidoqoftë, gjykuar nga historia, bankat pas krizave ekonomike dhe financiare, zakonisht janë më të kujdesshme në kreditim. Kjo qasje është deri diku racionale, për arsye të realitetit të ri të krijuar pas krizës në treg. Kjo sjellje e bankave, duke mos pasur mundësi ta gjykojnë saktë aftësinë absorbuese të tregut për produktet dhe shërbimet për klientët e tyre, dhe rrjedhimisht duke mos mundur të vlerësojnë performancën financiare të klientëve të tyre, ndërsa në të njëjtën kohë duke u munduar të jenë të përgjegjshme për të mbrojtur depozituesit (çdo përkeqësim i cilësisë së aseteve të sektorit bankar është lajm jo i mirë për depozituesit), medoemos do të rezultojë në ngadalësimin e aktivitetit kreditor në ekonomi, duke u fokusuar në kreditimin e një numri të përzgjedhur të klientëve, që nuk do të jetë i mjaftueshëm për të luajtur rol ndryshues në ekonomi. Për të mundësuar kapërcimin e këtij ngërçi të kreditimit, lind nevoja për të krijuar instrumente të caktuara, nëpërmjet të të cilave do të ndikohej në rritjen e ofertës dhe kërkesës për kredi. Derisa format e ndryshme të subvencionimit të interesit, grantet e pjesshme për mbulimin e investimeve, janë instrumente që ndikojnë drejtpërdrejt në nxitjen e kërkesës, në anën tjetër skemat garantuese si instrumente që mundësojnë ndërmjetësimin financiar në mënyrë të drejtpërdrejtë ndikojnë në rritjen dhe përmirësimin e ofertës. Nëse themelohen dhe funksionojnë duke u bazuar në parime të përgjegjshme, skemat garantuese janë treguar si instrumente shumë frytdhënëse për ta ndihmuar qasjen në financa për sektorin privat pas krizave financiare. Si të tilla ato mund të konsiderohen instrument apo dorë e zgjatur e politikës ekonomike të shtetit, nëpërmjet të të cilave dhe duke ndarë një pjesë të riskut kreditor me bankat komerciale do të mund të ndikohej në kthimin e besimit në sektorin bankar për t’i dhënë shtytje kreditimit që është shumë i dëshirueshëm në ditët e para pas krizës. Me të drejtë, të gjitha pakot financiare të shteteve të ndryshme, apo institucioneve financiare ndërkombëtare, në mekanizmat e tyre për të luftuar krizën aktuale të COVID-19, si nënkomponent kanë paraparë krijimin e skemave të reja apo fuqizimin e skemave ekzistuese garantuese, me qëllim të stimulimit të kreditimit në ekonomi.

Pse janë instrument i përshtatshëm skemat garantuese?

Logjika është e thjeshtë dhe e drejtpërdrejtë; në periudhën pas krizës, bankat për shkak të riskut më të lartë të perceptuar në treg shtrëngojnë standardet e tyre të kreditimit, gjë që çon në mënyrë të pashmangshme në ngërç kreditor. Ngërçi kreditor është gjëja e fundit që nevojitet në periudhën e pas krizës, ku ekonomisë i duhen para dhe likuiditet. Për të stimuluar bankat që të japin hua dhe të zbusin qasjen konservatore, për shkak të rrethanave të reja si rezultat i krizës, nevojitet një instrument që ndan riskun me bankat dhe kompenson mungesën e kolateralit, i cili sidoqoftë nuk ka ndonjë vlerë në kohë krize. Asnjë instrument tjetër nuk mund të luajë rol më adekuat sesa garancitë kreditore në situata të tilla, dhe atë për shkak të tri arsyeve kryesore: – – Siç u përmend më lart, karakteri i ndarjes së riskut, do të rrisë besimin midis bankave për fillimin e huadhënies, meqë do të shërbejë si amortizues në rast të humbjeve nga kreditë e dështuara;

– Ndikimi i garancive kreditore në ekonominë reale, për shkak të efektit shumëfishues të këtyre skemave, është shumë më i madh sesa me format e tjera të instrumenteve financiare, p.sh. grantet apo subvencionimi i normave të interesit. Kapitali 1 milion EUR i skemës së garancisë kreditore, në varësi të raportit të levës (zakonisht përdoret 3-5 herë), do të sjellë mesatarisht 6-10 milionë investime në ekonominë reale;

– Skemat e garancisë kreditore nuk promovojnë stimuj të gabuar në ekonomi, praktikë evidente për instrumentet tjera financiare të cilat duke marrë përsipër në tërësi detyrimet nga përfituesi i fundit (huamarrësi) për pagimin e kredisë dominohen nga sindromi “para falas” dhe së këndejmi krijojnë varësi dhe joefikasitet. Në këtë mënyrë skemat garantuese promovojnë se janë shëmbëlltyrë e mirë në treg, në mesin e lojtarëve të ndryshëm (banka – skema e garancisë kreditore – huamarrësi), duke promovuar që nuk ka “drekë falas”, por përkundrazi të gjithë do të kenë përgjegjësitë dhe detyrimet e veta.

Historia na tregon se skemat garantuese kanë lindur mu në periudhat pas krizave financiare, me qëllim të luftimit të ngërçit kreditor, dhe si të tilla datojnë që nga fillimi i shekullit të 20-të. E tillë ka qenë situata edhe në krizën e fundit financiare të vitin 2008, kur është vërejtur shtim i theksuar i aktivitetit të skemave garantuese.

Sot, sipas një studimi në 100 ekonomi të ndryshme kombëtare ekzistojnë rreth 2,200 skema të ndryshme garantuese me strukturë të ndryshme ligjore dhe pronësore; sidoqoftë pothuajse të gjitha kanë si objektiv krijimin e instrumenteve për financimin e NMV-ve. Pjesëmarrja e tyre në këtë ndërmjetësim, e shprehur si përqindje e portofolit aktiv të garancive ne raport me BPV-në sillet prej 7-8 % në vendet e Azisë, ku dominojnë Japonia dhe Koreja e Jugut të cilat njëherazi konsiderohen edhe si pioniere të aplikimit të skemave garantuese, ndërsa në Evropë mesatarja e këtij ndërmjetësimit financiar sillet prej 0.8-1.0%. Italia, Portugalia dhe Franca kanë traditë të theksuar në përdorimin e këtij mekanizmi për dekada me radhë, ndërsa skema garantuese në Turqi ka shënuar progresin më të madh gjatë viteve të fundit, krahasuar me të gjitha skemat tjera në rajon.

Fatbardhësisht, kriza e COVID-19 e gjen Kosovën me një institucion të themeluar dhe të konsoliduar mirë për ofrim të skemave garantuese. Fondi Kosovar për Garanci Kreditore, si institucion i themeluar në vitin 2016 falë bashkëpunimit të përbashkët nga donatorët ndërkombëtarë që operojnë në Kosovë, udhëhequr nga USAID dhe KfW, dhe Qeveria e Republikës së Kosovës, e ka këtë rol. Prandaj, me të drejtë pakot fiskale në fazën emergjente dhe të rimëkëmbjes ekonomike, pas krizës së COVID-19, me mbështetje nga Qeveria e Republikës së Kosovës edhe donatorët ndërkombëtarë, parashohin masa të posaçme të stimulimit të kreditimit, me qëllim të injektimit të likuiditetit në ekonomi, duke parashikuar krijimin e dritareve të garantimit në FKGK. Bashkërendimi i aktiviteteve me Qeverinë e Republikës së Kosovës dhe me donatorët ndërkombëtarë me qëllim të luftimit të impaktit negativ në ekonomi, do të jetë prioritet i FKGK-së në këtë fazë. FKGK-ja si institucion i themeluar me qëllim që të ndihmojë zhvillimin e ndërmarrësisë private, do të bashkëndiejë efektet e krizës me sektorin privat dhe atë bankar, tanimë shumë prej tyre klientë ose partnerë tanë. FKGK-ja, si edhe institucionet tjera simotra gjithandej regjionit, mirëpo edhe më gjerë, ndihmuar nga donatorët dhe partnerët, do të marrë përgjegjësi gjatë tërë fazave të rimëkëmbjes ekonomike, gjatë dhe pas krizës. Është një betejë që strukturat qeverisëse të FKGK-së, janë shprehur të gatshme ta ndërmarrin me vullnet, me të vetmin qëllim që ta kalojmë së bashku dhe të dalim edhe më të fortë sesa para krizës.

Në fund fare, na lejoni që në emër të Bordit të Drejtorëve dhe të stafit të FKGK-së të falënderojmë donatorët tanë ndërkombëtarë dhe Qeverinë e Republikës së Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme për FKGK-në. Po ashtu, falënderojmë të gjithë partnerët tjerë, mbi të gjitha Bankën Qendrore të Kosovës dhe Institucionet Financiare Partnere për bashkëpunimin e vazhdueshëm. Njëherazi, të gjithëve ju dëshirojmë shëndet dhe urojmë që vitin e ardhshëm ta festojmë së bashku përvjetorin e pestë të nisjes së veprimtarisë së FKGK-së në formë zyrtare, në një mënyrë ndryshe krahasuar me këtë vit, ku do të mund të diskutojmë për së afërmi dhe pse jo, edhe të ngremë dolli për kapërcimin e suksesshëm të pasojave nga kriza e COVID-19.

Nënshkruhet marrëveshja për Ndihmë mes MF dhe FKGK

Nënshkruhet marrëveshja për Ndihmë mes MF dhe FKGK

Sot, zëvëndësministri i Ministrisë së Financave Agim Krasniqi dhe Drejtori Menaxhues i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore Besnik Berisha nënshkruan  Marrëveshjen për Ndihmë në vlerë prej rreth 22.3 milionë euro. Kjo marrëveshje e cila vie si rezultat i Marrëveshjes...