Fondi Kosovar për Garanci Kreditore (FKGK), me kënaqësi ju njofton për mbushjen e vitit të katërt nga miratimi i garancive të para kreditore. Gjatë këtyre katër viteve FKGK ka vazhduar të jetë proaktive ndaj nevojave të sektorit, duke i përmirësuar në vazhdimësi proceset, kriteret kualifikuese, si dhe duke i avancuar produktet e garancisë.
Përmes garantimit të kredive, Fondi ka ndikuar në përmirësimin e përformancës së NMVM-ve me investimet e bëra nga kreditë e garantuara, por mbi të gjitha, ka ndihmuar zhvillimin e ekonomisë përmes zhvillimit të biznesit, kreativitetit e inovacionit.
Kur flasim për ekonominë e vendit tonë, në radhë të parë mendojmë për zhvillimin e ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, ndërmarrje këto me bazament fundamental për rritjen e mëtutjeshme të tregut.
Investimi në ndërmarrje mikro, të vogla dhe të mesme në Kosovë është i barazvlefshëm me investimin në hapjen e vendeve të reja të punës, në rritje të prodhimit, në teknologji e në inovacion. Të gjitha këto, të rëndësisë jetike për vendin tonë.
Sot, kujtojmë edhe bashkëpunimin me bankën e parë përmes të cilës kemi bërë garantimin e kredive të para katër vite më parë, bankën ProCredit.
“Si bankë e orientuar drejt zhvillimit dhe gjithnjë në përkrahje të bizneseve të vogla dhe të mesme në vend, padyshim se edhe bashkëpunimi me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore vjen natyrshëm duke qenë se jemi të hapur për çdo lloj iniciative e cila në epiqendër ka mbështetjen dhe avansimin e bizneseve. Ky bashkëpunim katër vjeçar ka ndihmuar që klientët e Bankës ProCredit, respektivisht, bizneset e vendit, përmes garancive kreditore të kenë lehtësi shtesë në financimin e planeve të reja investive dhe rritjen e produktivitetit të biznesit.
Sukseset dhe rezultatet e arritura nga investimet e klientëve tanë të biznesit në kuadër të FKGK-së, na bëjnë që ta thellojmë këtë bashkëpunim edhe më tëpër në përkrahje të bizneseve me fokus në sektorin e prodhimit dhe agro industrinë si dhe investimet e reja të bizneseve me fokus ekonominë e gjelber, kursimin e energjisë dhe mbrojtjen e mjedisit. Bashkëpunimin me FKGK-në e kemi filluar të parët dhe do ta vazhdojmë me qëllimin e përbashkët për mbështetje të bizneseve të vogla dhe të mesme të cilat japin kontribut thelbësor në ekonominë e vendit”- deklaron Znj Eriola Bibolli, drejtoreshë ekzekutive e Bankës ProCredit.
Kohët e vështira si këto, periudha kur rimëkëmbja ekonomike është kryefjalë e çdo veprimi të mëtutjeshëm në ekonomi, roli i Fondit Kosovar për Garanci Kreditore vetëm sa vie e potencohet më shumë, si institucioni shtytës e mbështetës i zhvillimit ekonomik përmes hapjeve të mundësive brenda tregut. Këtë e dëshmoi edhe vazhdimësia e FKGK-së në ofrimin e garancive kreditore edhe gjatë këtyre muajve duke ofruar garanci kreditore për 934 NMVM me një vlerë kumulative prej 34.4 milion euro.
Fondi Kosovar për Garanci Kreditore mirëpret bashkëpunimet e ardhshme me institucionet financiare në Kosovë dhe me krenari zë vendin e tij si faktor domethënës në zhvillimin ekonomik në Republikën e Kosovës.
Ndërtimi i portofolit për këto katër vite ka arritur vlerën kumulative të kredive të miratuara në 207.3 milionë euro, ndërsa vlera e garantuar nga Fondi Kosovar për Garanci Kreditore ka arritur në 100.2 milion eur të shpërndarë në 5,451 kredi.